Rregulla të reja për plazhet e investitorëve strategjikë, hyn në fuqi marrëveshja-model
Është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë që miraton marrëveshjen-model mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve si stacione plazhi.

Sipas vendimit, ky model do të shërbejë si baza standarde kontraktore për rastet kur një investitor strategjik përfiton të drejtën e përdorimit të brigjeve për zhvillimin e një stacioni plazhi në funksion të projektit të tij turistik. Qeveria përcakton se, nëse Komiteti i Investimeve Strategjike nuk ka vendosur një afat të posaçëm për këtë përdorim, atëherë kohëzgjatja do të lidhet me realizimin e projektit investues, por pa e tejkaluar kufirin maksimal të lejuar nga ligji për investimet strategjike.
Modeli tip përcakton rolet e tri palëve që përfshihen në këtë proces: Agjencinë Kombëtare të Bregdetit si dhënëse të së drejtës së përdorimit, investitorin strategjik si përdorues dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore si përfituese të të ardhurave nga tarifa. Në marrëveshje parashikohet që hapësira e plazhit jepet për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, sipas sipërfaqes, koordinatave dhe hartës së miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Sa i përket tarifës për pagesën vjetore do të jetë ajo që ka përcaktuar këshilli bashkiak përkatës në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe do të indeksohet çdo vit sipas inflacionit zyrtar të INSTAT-it. Fatura do t’i dërgohet investitorit brenda muajit tetor të çdo viti dhe pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve. Në rast vonese, do të aplikohen kamata sipas ligjit për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare.
Vendimi vendos edhe një regjim të detajuar detyrimesh për investitorin. Ky i fundit duhet ta përdorë hapësirën vetëm për qëllimin e miratuar, të respektojë kushtet minimale dhe standardet e sigurisë për stacionin e plazhit, të bashkëpunojë me autoritetet monitoruese dhe të sigurojë praninë e vrojtuesve të plazhit gjatë gjithë sezonit.
Marrëveshja parashikon që investitori mund të nisë procedurat për lejet zhvillimore dhe ndërtimore që nga momenti i nënshkrimit, ndërsa e drejta për përdorimin efektiv të brigjeve ushtrohet vetëm pasi struktura akomoduese turistike të vihet në funksion.
Në të njëjtën kohë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit fiton të drejtën të kontrollojë dhe monitorojë zbatimin e kushteve të kontratës në intervale tremujore gjatë vitit, si edhe detyrohet t’ia dorëzojë investitorit hapësirën e lirë për shfrytëzim brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Modeli tip shoqërohet edhe me penalitete konkrete për shkeljet. Ushtrimi i aktivitetit jashtë sipërfaqes së kontraktuar dënohet me 150 mijë lekë gjobë, mosafishimi i kërkesave të sigurisë me 50 mijë lekë, ndërsa shkelje si ndotja e hapësirës, mosrespektimi i kushteve të higjienës apo sigurisë ndëshkohen me 200 mijë lekë. Edhe mungesa e vrojtuesit të plazhit parashikon gjobë 200 mijë lekë, e cila dyfishohet në 400 mijë lekë në rast përsëritjeje. Të ardhurat nga këto gjoba kalojnë 100% në buxhetin e shtetit.
Marrëveshja mund të zgjidhet me mbarimin e afatit, me marrëveshje të palëve, në rast force madhore, në rast mospagese të tarifës nga investitori apo me vendim të formës së prerë të gjykatës administrative kur investitori heq dorë nga realizimi i projektit. Në fund të kontratës, investitori duhet ta kthejë hapësirën në gjendjen në të cilën e ka marrë, ndërsa përmirësimet e ndashme mund t’i heqë, por pa dëmtuar zonën.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)